Pse Albin Kurti po e respektoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese ndërsa Hashim Thaçi jo ?

Shkruan:
Xhafer Shatri

Aktgjykimin KO 72/20, të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, datë 28 maj 2020, lidhur me Dekretin e Thaçit po e respektojnë të gjithë. Edhe fituesit e 6 tetorit 2019, pra edhe ata që u dëmtuan më së shumti me këtë vendim të kontestueshëm nga shumë anë e nga shumë ekspertë. Gjithsesi më bindësi ishte njëri prej autorëve të Kushtetutës, Arsim Bajrami (Të gjithë të interesuarit le t’i referohen kësaj vjegëze: 
https://www.facebook.com/watch/live/?v=165452754898688&ref=watch_permalink)

 Do të dëshiroja ta di, prandaj se, si është e mundur që një vendim i kësaj Gjykate u dashka të respektohet ndërsa një vendim tjetër poashtu i saj të mos respektohet?

Fjalën e kam për Aktgjykimin KO 43/19, datë 13 qërshor 2019, sipas të cilit Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi të ashtuquajturin Delegacion Shtetëror për Dialogun me Serbinë, një sajesë kundërkushtetuese e Hashim Thaçit, përmes të cilit mëtonte ta ndajë me të tjerët përgjegjësinë e tij historike për copëtimin e Kosovës.

Me këtë vendim Gjykata Kushtetuese jo vetëm e shfuqizoi Delegacionin e Prontomafisë, por saktësoi se Dialogun me Serbinë duhet ta udhëheqë Qeveria, gjegjësisht kryeministri e jo Presidenti.

Mirëpo, pavarësisht këtij fakti kokëfortë, ‘eksperti’ i Kushtetutës tonë dhe psikiatri i hajvanatit politik të Kosovës, Rick Grenell urdhëroi që të respektohet vendimi i datës 29 maj 2020 për shkarkimin e Qeverisë, por i njëjti ka këmbëngulur në vazhdimësi që të mos zbatohet Aktgjykimi i datës 13 qërshor 2019 që Hashim Thaçin e zhvesh nga roli i kryepërfaqësuesit të Kosovës në Dialogun me Serbinë që ky e ka uzurpuar tash 4 vjet…!

Meqë, si duket kanë lidhje të shkurtë me Rickun tonë të famshëm, i lus Skënder Hysenin e Berat Buzhalën që të twitojnë me Grenellin e gjithëfuqishëm dhe të na tregojnë ne, qytetarëve të vdekshëm, se si qenka e mundur që vendimet e Gjykatës Kushtetuese u dashka të jenë obligative për Albin Kurtin por jo edhe për Hashim Thaçin?

Georges Orwelli në romanin e famshëm “1984“, rezonimet aktuale qesharake të Rick Grenellit, Isa Mustafës, Skënder Hysenit e tuti quanti që privilegjon Hashim Thaçin si “më i barabarti në mes të të barabartëve..“ i  përqeshte si akrobacira politike të shokut Stalin, të cilat, në pikëpamjen e çdo njeriu normal, zor që përbihen kudoqoftë sot, në shekulli XXI.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*