Pse partitë e haraçit ia kanë mësy mërgatës ?

Shkruan:
Xhafer Shatri

Duke parë potencialin elektoral të mërgatës, LDK dhe PDK, kësaj radhe, janë mobilizuar maksimalisht për t’i ringjallur degët dhe pipat e tyre të tharë kaherë.

Krejt kot, sepse këto dy subjekte kanë abuzuar si askush tjetër me mërgatën dhe me përkushtimin e saj atdhetar.

Po i përmendi tri raste flagrante që mërgata nuk do t’i harrojë kurrë. Mbajeni mend: KURRË!

1.Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, në cilësinë e Ministrit të Ekonomisë dhe Financave, 1/4 e Fondeve të Republikës, të njohur si Fondi i 3 Përqindëshit, pas Luftës e ka privatizuar duke e kthyer në një OJQ, të njohur me emrin, tashmë botërisht të neveritshëm, UFORK! Se si janë shkrry këto mjete e tregon rasti i Naser Osmanit, ish-deputet i LDK-së, i cili 20 vjet pas Luftës u dënua me burg, si plaçkitës par excellence i parave që i takonin Fondit të Republikës, gjegjësisht buxhetit të Kosovës.

Po e përsëris atë që kam thënë disa herë më parë, se, Isa Mustafa është Ministri i vetëm në botë i Ekonomisë dhe i Financave, i cili buxhetin e shtetit, të mbledhur me shumë mund dhe me mandat kushtetues e ka kthyer në Organizatë Joqeveritare dhe e ka bërë rrush e kumbulla!

 2. Partia Demokratike e Kosovës e themeluar me paratë e Fondit Vendlindja Thërret, asnjëherë deri më sot nuk ka publikuar asnjë informatë të vetme për shumën e mbledhur nga Fondi Vendlindja Thërret. Nuk ka asnjë informatë të vetme se sa armatim është blerë me paratë e këtij Fondi. Por dihet se rreth 40 mijë DM që i kishte mbledhur Rifat Jashari me shokë për t’ia dërguar Komandantit të Kryengritjes së armatosur, Adem Jasharit kanë përfunduar në xhepat e Azem Sylës me shokët e tij, grupim i njohur botërisht si Shtabi i Rognerit!

Atyre që kanë probleme me kujtesën, ua përkujtoi se, menjëherë pas Luftës, policia e Unmikut, pati gjetur të fshehura në kasollën e qenit të Gani Thaçit, vëlla i ish-kryetarit të PDK-së, 791’000 dollarë cash!

 3.Pas Luftës, LDK dhe PDK gati në vazhdimësi kanë qeverisur bashkë. Këto subjekte që e kanë rrjepë mërgatën gati si Serbia, në shenjë ‘mirënjohjeje’ i kanë kthyer pikëkalimet kufitare të Kosovës në shtrungë, ku i plaçkisin mërgimtarët, duke i detyruar, jashtë çdo norme ligjore, të paguajnë polisa sigurimi për automjetet e tyre. Ani se çdonjëri prej mërgimtarëve e ka kartonin e gjelbërt e vetëvetiu edhe sigurimin e veturës.

Të gjitha të hollat që plaçkiten nëpër pikat kufitare, dikund rreth 50 milion euro në vit, përfundojnë në xhepat e sekserëve të Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Behxhet Pacollit.

Qeveria Kurti, vitin e kaluar e pati ndaluar këtë formë të neveritshme të plaçkitjes, por Avdullah Hoti, në dhjetorin që shkoi, e rivendosi sërish këtë haraç.

Shtrohet pyetja pse tash, në prag zgjedhjesh, partitë e oligarkëve po na mburren se e ringjallën këtë degë apo atë pip në filan vend apo në fistek shtet?

Qëllimi është krejt i tejdukshëm: Për të krijuar mbulesë për vjedhjet masive që do t’ua bëjnë votave të mërgatës.  Por kësaj radhe do të therren keq. Askush në mërgatë nuk ka as vota e as simpati për partitë e haraçit!

Mbajeni mend: Askush!

Prandaj çdo fletëvotim i mbushur do të kopjohet paraprakisht dhe pas rezultatit do të publikohen të gjitha në medie dhe në rrjete sociale. Sepse kështu do t’i nxjerrim lakuriq ata që në Kosovën e lirë janë mësuar ta marrin pushtetin, siç thoshte ambasadori amerikan, duke i vjedhur votat industrialisht.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code