Pushka e ndryshkur e Bali Katravellës

Shkruan:
Xhafer Shatri

Mësuesi e filozofi global, Nastradini, e kishte rrahur një ditë gomarin e tij.

Një kalimtar e pyet: Pse po e rrah?

Nastradini: Sepse nuk po shkon rrugës…

Kalimtari: Po gomar është…

Nastradini: E di, por ani se është gomar, pse po di të shkojë ner udhë e nuk po shkon bile mbi udhë, sepse, në këtë rast, do të dilte më lehtë në rrugën e Zotit…

1.

Kështu disi është puna me Hashim Thaçin, alias Bali Katravellën e ditëve tona, i cili, kudo që po i jipet rasti, flet dhe bën atë që është në kundërshtim flagrant me mandatin e tij dhe me interesat jetike të Kosovës. Në këtë vijë, ai po kërkon hardallisht që Lugina e Preshevës, siç e quan ai me terma serbe Kosovën Lindore, t’i bashkohet Kosovës.

Por njerëzit me mbamendje minimale e dijnë se, ka 20 vjet, që Hashim Thaçi nuk e ka përmendur asnjëherë asnjërën nga 3 komunat e Kosovës Lindore, madje as atëherë kur xhandarmëria serbe terrorizonte sistematikisht shqiptarët, duke ua thyer edhe djepat me fëmijë në gjumë, duke i arrestuar, torturuar e dënuar kot së koti vetëm pse janë shqiptarë…

Nuk e ka hapur gojën dhe nuk ka protestuar as një herë të vetme kundër as një forme të diskriminimit e të nëpërkëmjes që u bëhet kosovëlindorëve orë e çast dhe në të gjitha mënyrat. Siç di Serbia më!

Nuk e ka hapur asnjëherë gojën, kur, sidomos prej pas Luftës e këtej, me truke administrative po shlyhen me mijëra shqiptarë të Medvegjës sidomos por edhe të Preshevës e Bujanocit, nga regjistrat civil, duke ua mohuar e duke ua ndaluar vendlindjet. Duke shlyer çdo shenjë e çdo shënim për ta dhe pronën e tyre.

Për turpin tonë, asnjë shtetar shqiptar nuk e ka ngritur zërin as një herë të vetme për këtë formë diabolike të pastrimit etnik.

Por pse ky zgjim i vonuar i Bali Katravellës? Çka është kjo ngutje që t’i thërrasë, kohë e pa kohë, përfaqësuesit e Kosovës Lindore dhe t’u premtojë atyre male me lisa e fusha me lule, në fakt të tallet me ndjenjat dhe vuajtjet e tyre nën çizmën serbe… ?

Përgjigjja është e thjeshtë, së pari për të dërguar mesazhe se nuk ka hequr dorë nga ideja për copëtimin e vendit dhe së dyti, meqë është zënë me kërpesh për dore duke bërë pazare me territoret e Kosovës, tash, për të larë m… me sh…, përpiqet që një veprimtari antikushtetuese e antishqiptare ta paraqesë si një përpjekje patriotike…

Kot fare, sepse të gjithë po e njohin lojën e tij të tejdukshme. Një mfshefaçok i fëmijës lazdran midis livadhit.

2.

Hashim Thaçit nuk do t’i thoshin Bali Katravella, sikur të mos shkonte tepër larg me marrëzinë e tij pushtetore: Tash, poashtu hardallisht, e ka marrë ne dorë flamurin e bashkimit kombëtar! Duke avancuar kështu me ‘patriotizmin’ e tij banal, ai po kërkon edhe ‘bashkimin’ e Kosovës me Shqipërinë! Para një muaji, në ato sorollatjet e tija nëpër Ballkan, Balia kishte shkruar në fejsbukun e tij të budalltë, sikur t’i kishte dalur gjumi 50 vjet pasi e ka bërë nëna: “Sapo kalova pikën kufitare në Morinë, e cila ndan padrejtësisht Kosovën dhe Shqipërinë. Kufi ky i vendosur jashtë vullnetit të Kosovës dhe Shqipërisë. Këto gërmadha kufitare duhet të hiqen njëherë dhe përgjithmonë.“

Bali Katravella vend e pa vend përdor termin: agjenda ime! Në fakt ajo frazë marroke, në kundërshtim me kushtetutën, me mendatin e tij kushtetues, janë agjendë e Serbisë. Sepse i jep material të freskët Vuçiqit e Daçiqit të shkruajnë letra gjithandej nëpër botë: ja, shqiptarët po duan të krijojnë Shqipërinë e madhe, ndërsa Dodikut i hap udhën për shpartallimin e Bosnje e Hercegovinës… Me këso veprimesh e me këso sjelljesh Balia e ka vënë seriozisht në pikëpyetje dy vendime jetike për vendin: atë për Shpalljen e Pavarësisë dhe atë të GjND-së përmes të cilit Kosova përligjet ndërkombëtarisht si shtet sovran e i pavarur.

Në qarqet paraintelektuale, ku vegjeton Bali Katravella dhe shpura e tij, këtë gomarllëk politik ai përpiqet ta shesë si politikë të hollë se gjoja po i dërgon mesazhe Evropës se ‘nëse ju nuk na pranoni, ne do të bëhemi bashkë!’

Kush po u bëka bashkë? Edi Rama e Hashim Thaçi? Thuase Evropa nuk e ditka se këta pushtetarë sharlatanë nuk kanë arritur ta bëjnë të qëndrueshme as tregtinë e patatave mes dy vendeve e lëre më diçka tjetër! Kësaj i thonë ta nxjerrësh nga zgafella pushkën e ndryshkur e bosh, e cila më së shumti e frikëson atë që e ka në dorë.

Për të mos ua hëngër hakun, si Thaçi, si Rama, kanë qenë të sukseshëm vetëm në një gjë; t’i bëjnë të dy vendet tona të tilla çfarë janë sa që të rinj e të vjetër memzi presin rastin e parë për të ikur jashtë, sa më shpejtë e sa më larg.

3.

Bali Katravella, gjatë karrierës së tij, shpeshherë ka qenë konsekuent në një pikë: ta thotë mu atë që nuk do të duhej ta thoshte dhe ta bëjë pikërisht atë që nuk do të duhej ta bënte. Tani ai po hedh kopilisht e gjithandej në etër batutat e tij për ‘bashkim kombëtar’ për të torpeduar ashiqare përpjekjet e krahut atdhetar në institucionet e Kosovës që seriozisht mëton ta mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

Ndërsa kur flet për Kosovën Lindore, gjithmonë djallëzisht e papërgjegjshëm, Balia nuk çanë kaptinën se çfarë dëmesh i shkakton popullsisë shqiptare atje që me gjithë shpirt qëndron e përpiqet të mbijetojë në trojet e veta.

Mesazhi i një kryetari apo shtetari të përgjegjshëm, por edhe mesazhi i të gjithë atyre që e duan Kosovën Lindore, i atyre që u dhemb zemra për të dhe i përjetojnë vuajtjet e saj shpirtërisht do të duhej të ishte:

Mos i braktisni votrat tuaja!

Mos ua ktheni shpinën trojeve që ua kanë lënë të parët!

Mos u besoni politikanëve renegatë për të cilët nuk ka asgjë të shenjtë në këtë botë veç kolltukut e pushtetit!

Luftoni, ekskluzivisht me mjete legale, për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave tuaja, sepse do të vijnë ditë më të mira edhe për ju!

Kosova do të çohet në këmbë patjetër, do t’i çojë cubat ku e kanë vendin, dhe do t’ju mbrojë sistematikisht pa bërë kurrë pazare me tokat, me jetët dhe familjet tuaja!

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code