Gjermania kundërshton vendosmërisht copëtimin e Kosovës

Pazarllëqet e fshehta të Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës i kanë shkaktuar çështjes tonë dëme të pariparueshme. Ai ka kontribuar që të përçahet keq faktori ndërkombëtar proshqiptar. Njëri prej vendeve që ka mështetur Kosovën në vazhdimësi, Gjermania, e vetëdijshme për rrezikun ka qenë konsekuente që nga viti 1998: nuk ka ndarje të Kosovës! Këtë qëndrim autoritetet gjermane e theksojnë me këmbëngulje edhe sot.

Në vijim po jap pjesë të intervistës që dha ministri gjerman i shtetit Michael Roth për Radio DW, emisioni në gjuhën shqipe dhe pjesë nga fjala e Christoph Heusgen, ambasadori gjerman në Këshillin e Sigurimit.

 “Opinioni shqiptar aktualisht është disi i shqetësuar në lidhje me përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë. Ish-ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka qenë kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan. Kryeministri dhe de jure ministri i jashtëm i Shqipërisë, Edi Rama, i shmanget përgjigjes së kësaj pyetjeje në publik, por shumëkush mendon se ai është pajtuar tashmë me këtë plan. Si e shikoni ju ndihmesën e Shqipërisë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës?

Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për ne. Përpjekja për zhvendosje kufijsh ka shkaktuar vuajtje të pafundme në të kaluarën. Prandaj, sipas meje, këto përsiatje, jo vetëm që nuk premtojnë shumë sukses, por janë edhe tejet të rrezikshme. Çfarë na nevojitet, është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila i rregullon përfundimisht marrëdhëniet, i mundëson Serbisë dhe Kosovës të anëtarësohen në BE dhe i zgjidh me marrëveshje të gjitha çështjet teknike që janë ende të hapura. Nga Shqipëria  ne presim që kjo ta përdorë në mënyrë konstruktive ndikimin e saj politik dhe të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive për stabilitet në të gjithë rajonin. Kjo vlen veçanërisht për çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mund të jetë vetëm në interes të Shqipërisë, si pjesë e rajonit, që të parandalojë me çdo kusht një destabilizim të ri të Ballkanit Perëndimor, gjë që detyrimisht do të vijonte nga ndryshimi i kufijve.

 Gjermania është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan, por SHBA dhe Komisioni i BE-së nuk janë kundër.  Aktualisht ekziston një shtytje e madhe nga ana e SHBA-së për të arritur një marrëveshje edhe para zgjedhjeve për Parlamentin e Evropës. Si do të ndikonte kjo marrëveshje në procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE?

 Është e vërtetë se ka qëndrime të ndryshme në lidhje me ndryshimet kufitare. Qëndrimi ynë është se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta rrisë stabilitetin në të dyja vendet dhe në rajon. Unë nuk shoh se si mund të arrihet kjo me ndryshime kufijsh. Përkundrazi, Ballkani Perëndimor nuk do të binte në qetësi. Nga vendet fqinje dëgjoj vazhdimisht se ata janë të shqetësuar për këtë diskutim, sepse shohin rrezikun e efektit të dominosë. Për proceset e anëtarësimit në BE kjo me siguri që nuk do të ishte aspak e dobishme.

 Çka tha ambasadori Christoph Heusgen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, dje, më 7 shkurt 2019?

 “Daçiq vetë ka udhëtuar në shtetet të cilat kanë bërë tërheqjen e njohjeve. Nuk e kuptoj logjikën që qëndron prapa kësaj: Shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Njohja e Kosovës është e njëjta mënyrë për të futur në BE. Duke i shtyrë vendet që ta tërheqin njohjen e Kosovës, ju jeni duke e goditur vetën me duart tuaja dhe unë nuk e kuptoj këtë”
(…)
“Asnjë nen në marrëveshjen e Brukselit nuk flet për ndryshimin e kufijve apo ndryshimin e territoreve. Ne, në Gjermani, mendojmë se këto përpjekje janë të rrezikshme për rajonin sepse e destabilizojnë atë.”

Burimi: https://www.dw.com/sq/gjermania-marrëveshja-kosovë-serbi-duhet-ta-rrisë-stabilitetin-e-rajonit/a-47401580

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*