Ra ky mort e u pamë, në LDK

Shkruan:
Ramazan Bekteshi

(Levizjet ne kohë pandemie)

Sot, tapia e LDK-së është përbuz, është shkel, është përdhos. Sot ajo është në duar te uzurpatorëve të licensuar nga autokrati. Në LDK ende defilojnë pleqtë pazarxhinjë, ata që thirren në rugovizëm por veprat i kanë anti-rugoviste, ata që ia vizitojnë Presidentit Rugova varrin vetëm kur ka zgjedhje, ata që s’e kanë as siklet që t’ia shkruajnë epitafin, partisë.
Sot, kur flitet për projekt-marrëveshje e klauzola të dyshimta për korigjim/shkëmbim kufinjsh, kur flitet për amnesti të përgjithshme, falje krimesh, pajtim, ju LDK-stë të mi heshtni, por jeni versul si bisha ndaj ish partnerit tuaj qeverisës, për të marrë pushtetin si humbës, në kohë mortaje.
Sot, ai premtimi i famshëm i LDK-së gjatë zgjedhjeve me moton “Beso” u bë i pabesë e imperativi i foljes “Beso” është zëvendësuar me një folje tjetër po në mënyrën urdhërore “Tradhëto” si urdhër suprem për kryesinë që vie nga Presidenti HTH për LDK-në. Partia që në emër të rugovizmit zvarriti, linçoi gratë më të vyeshme të shtëpisë jashtë porte, (Donikën më herët e Vjosën me tendencë tash).
Sot LDK-në e udhëheqin njerëz që heshtën për vrasjet e anëtarëve më të përkushtuar të LDK-së, më të guximshmit, heshtën qe 20 vite. Sot LDK-në e udhëheqin ata që i shuan Degët e LDK-së në diasporë, asetet më të forta të partisë që në zgjedhjet e fundit ua panë edhe sherrin sepse ata votuan për kundërshtarin e drejtëpërdrejtë politik, dhe ikën me gjasë që të mos këthehen më kurr.
Sot LDK-në e udhëheq një satrap, një lider që erdhi me hile dhe i shkaktoi LDK-së vetëm humbje dhe asnjë fitore të vetme, ‘akademiku’ me duarë në xhep ia humbi partisë edhe bastionin më të fuqishëm, Prishtinën dhe njerëzit për rreth heshtin, askush nuk kërkon përgjegjësi, askush s’deshiron të rebelohet sepse e di ç’e pret.
Sot LDK-në e udhëheqin njerëz që e shuan QIK-un, dritaren më të shkëlqyeshme të Kosovës në kohë okupimi, dritaren e vetme që ishte pikë referuese dhe burim i besueshëm i shtypit dhe medias botërore të kohës, dritaren për të cilën ra i madhi Ever Maloku.
Sot LDK-në e udhëheqin njerëz që kurr s’patën interesim të mbëledhin arkivat e degëve të LDK-së në Diasporë që shtriheshin prej Europe, në Australi, Amerikë, Kanada e deri në Alaskë, që asnjë parti në botë nuk ka pas shtrirje në tre kontinente. Ajo, udhëhiqet nga njerëz që s’patën interesim e guxim qytetar të themelojnë arkivin e LDK-së si institut shtetëror.
Sot, LDK-ja nuk ka në sirtar asnjë film dokumentar me vlerë të
sakrificave të panumërta, mbrënda e jashtë vendit, as për heronjtë e vërtetë të Luftes per pavaresi, Ahmet Krasniqi, Tahir Zemaj, Sali Çekaj, Agim Ramadani, Zair Pajziti, Adem Jashari dhe heronjtë e pas luftës. LDK ishte në pushtet por s’e pati këtë preokupim kurr.
Sot në LDK është harruar flamuri Dardan dhe himni ‘Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë’ që n’a e la trashëgimi Baba, krijuesi i shtetit. Por, këta njerëz si ngushllim n’a sollën Zajednicën dhe e falën Çakorrin sëbashku me HTH. Derisa në pushtet lideri i LDK-së kurr s’e luftoi krimin por ishte pjesë e tij. Në LDK njerëzit nuk janë të lirë nga frika por disa janë të prirë për vazalitet.
Sot në LDK sundojnë ata që nga ‘akademia” e tye nuk doli asnjë studim për okupimin, luftën e fundit, asnjë kërkesë per dëmshpërblim nga agresori qe dogji mbi gjysëm milioni të shtëpive e objekteve ndihmëse, për plaçkitjet dhe asgjësim të bagëtisë, masakrat masive, dhunimet e 20.000 femrave, vrasjen e 1500 fëmijëve gjysma nën moshën 5 vjeçare, e agresorin se paditën për gjenocid as pas 20 vitesh.
Sot LDK-ja ka mbet qyqe, sepse ata burrat dhe gratë e zellshme në Europë e Amerikë që lobonin për LDK-në e Kosovën dhe dërgonin lekë gjatë viteve të vështira e të lavdishme nuk janë më me partinë, sepse ajo ua përplasi portën në fytyre, LDK-ja s’ka miq ne Amerikë përpos Grenell që i shfrytezoi keq për mizdevirllëk,
Sot në LDK reciklohen vetëm ato kuadro që janë të dëgjueshëm, sot kryetar dege mund të jesh vetëm nëse je krahu i Ises. Sot për deputet nominohesh sërish vetëm nëse je njeriu i Isës, i Isës duhet të jesh edhe në Këshill të Përgjithshëm edhe në Kryesi. Dhe të gjithë të Isës, rrethuar reth tij nuk votojnë si në demokraci, por e zgjedhin kryetarin me konsensualitet si në Korenë Veriore, dhe mburren, sepse këtë e quajnë unitet.
Sot, LDK-në e udheheq Ministri i Financave në qeverinë Bukoshi, që jetoi si beg nga ai fond me vite me tërë familje, por që s’dha kurr llogari për milionat e zhdukur të fondit. Isa, qe e shiti Dardania Bank-ën dhe nuk la as nam as nishan. Sot, tandemi i tiranëve ISA-HTH, bosat e fondeve “Vendlindja Thërret” dhe “Fondi i Qeverisë, 3%” ende sundojnë pas 20 vitesh, në akordansë të plotë, por tani si multi-milionerë.
Sot e kësaj dite, në LDK ka mbet një ves i keq nga historia jonë e hidhur, nënshtrimi, ata harrojnë se ne jemi të pavarur dhe kjo s’vlen më. Historinë tonë në të kaluarën e bëne të huajitë por edhe me dorën tonë të mallkuar. Tani ka ardh koha historinë t’a bejmë ne sipas interesave tona shtetërore, pse me të vjetrën, harroje vazalitetin, o lider i trishtë me shkopin e kobshëm.

Sot, në LDK nga i gjithë ky trishtim, vazalitet e okupim, ndodhi dhe një e mirë, ‘Ra ky mort e u pamë’, u panë ata që funksionojnë me urdhëra te HTH kundër intersit të partisë dhe Kosovës, fatmirësisht ata janë të paktë. Elektorati i LDK-së është i sinqertë, i edukuar, i zgjuar. Ky elektorat mund të bëjë ndryshimin, t’i pensionoje despotët, të reformojë partinë, dhe t’u këthehet fitoreve si në kohën e Babës. Koha është tani, mos i BESO të tashmes por të ardhmes së LDK-së së reformuar, me fryme e forca te reja, si Vjosa Osmani e

Donika Gërvalla-Schwarz

. Mos lejoni që këta të sotmit t’ia shkruajnë epitafin partisë.

Ramazan Bekteshi PhD, Alexandria, Virginia-USA
Ish-kryetar i degës së LDK-së Chicago dhe Koordinator i degëve te LDK-së për Amerikë e Kanada (1990-2000), si dhe National Albanian-American Council, Board of Directors (1996-2000)
Burim: https://www.facebook.com/ramazan.bekteshi.7/posts/616590152402330

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*