Rrëfim ardhmërak për votimet jashtë shtetit

Shkruan:
Erina S.

Po bëhet shumë zhurmë për votimet jashtë kufijve. Unë e kam mendimin tim për këtë tentim invazioni elektoral, por këtu do të shpërfaq mendimin e brezit të ri…
Mbesa ime, Erina, edhe pse ende nuk i ka mbushur tre vjet, e ka vizionin e saj për 100 vjetët që do të vijnë.
Në pikëpamjen time, Erina nuk e ka shoqen prej Gjeneve e deri në Japoni, prandaj ndëgjojeni me vëmendje se çka projekton ajo në fletorën e vizatimit:
Në vitin 2050 kam vendosur të jem kryeministër i Kosovës.
Në vitin 2052, do të ftohem në Parlamentin Shqiptar, me ç’rast institucioni më i lartë i shtetit duhet të vendosë që Shqipëria t’i bashkangjitet Kosovës pa asnjë kusht. I vetmi që mund të kundërshtojë këtë vendim, mund të jetë njëfarë Zaho Rr., të cilin portalet e quajnë “i biri i Doktatorit“.
Më 2053, Parlamenti i shqiptarëve duhet të vendosë që shteti të quhet Iliri.
Në vitin 2055, me 5 mars, në Ditën e Dëshmorëve të Kombit, Konfederata e Maqedhonisë me referendum i bashkangjitet Ilirisë.
Më 2057, unë, Erina S., ani se kryeministër i Ilirisë, do të votoj në njësinë zgjedhore të Rizonit, në gjirin e Kotorrit. E pyetur nga CNN për këtë vendim do të deklaroj: Erdha të votoj këtu, në këtë vend të bekuar, ku pasardhësit e mi, Agroni e Teuta, i vunë themelet e civilizimit evropian. Në mbrojtje të këtyre vlerave edhe gjyshi im i ndjerë ka vuajtur në burgun e Kotorrit, që po shihni prej këtu. Është ajo kështjella e mbjellur në shkëmbinj.
Unë mbështesë kërkesën e shumicës së popullsisë së këtij vendi fqinj që t’i bashkangjitet Ilirisë me vullnet të plotë e pa asnjë kusht!
Në vitin 2060, Ditën e Shëngjergjit, do të martohem me Lis Vashingtonin në Katedralën e Tivarit. Bekimin martesor do ta bëj kardinali i besimit të ri ilirian, Gjergj Fishta i Ri.
Në vitin 2070, në cilësinë e Presidentes së vendit më të fuqishëm evropian, do ta vizitoj Bernën, kryeqytetin e Atdheut tim. Parlamenti Federal duhet të vendosë që të mbahet një referendum dhe përmes tij, edhe ky shtet i vjetër e neutral do t’i bashkangjitet Ilirisë.
Fjalimin që do ta mbaj aty do ta përfundoj me frazën epike:
Jam e lumtur që të dy Atdhetë e mi po bashkohen dhe po bëhen përgjithmonë Një!
Ky është vazhdim i një procesi të natyrshëm që Planeti ynë t’i ketë vetëm 3 shtete: Iliria, Amerika dhe Japonia.
Në vitin 2075, Planeti ynë do të jetë Konfederatë e 3 shteteve. Për shkaqe emotive dhe praktike Kryeqytet i Konfederatës së Planetit do të jetë Tomoci.
Në vitin 2080, në Rrafshnaltën e Peshterit do të ndërtohet baza e Raketave Interplanetare. Komandant i saj do të jetë gjenerali me 7 yje, Gjin Arvanitasi. Ndërsa aty ku dikur ishte Beogradi do ta ndërtojmë një burg të madh për jashtëtokësorët që do t’i zëmë rob. Kjo, sepse banorët e kësaj krahine të Ilirisë e kanë në gjen sjelljen egërsisht me qeniet që janë duar lidhur.
Në vitin 2085 në Gjenevë do të mbahet Kongresi Botëror i Grave. Aty do të vendosim se si t’ua bëjmë burrave, njëherë e mirë, fenë baski.
Në vitin 2100, Forcat e Armatosura të Tokës (FAT), do ta pushtojnë edhe një sistem tjetër Diellor. Aty do të vendoset i njëjti rend demokratik dhe të gjitha planetet e atij sistemi do të quhen Tokat e Reja (TR).

Atje gjuhë zyrtare dhe e vetme do të jetë ilirishtja.

PS
Lexues e admirues të këtyre rreshtave ardhmërakë e zgjimtarë, ky rrëfim i Erinës mund t’ju duhet pak sa fantastik. Por po ju siguroj se kjo çupë e mbarë deri sot çdo projekt të sajin e ka realizuar 100%. Herë duke përdor mjeshtrisht buzëqeshjen e saj engjëllore e, besa, shpesh shkëlmimin e tokës dhe lotët, si armë të fundit para të cilave ka vetëm një zgjidhje: kapitullimin.
Kur e vendos ta bëjë të vetën, Erinës i vizllojnë sytë e saj të gjelbërë si ullinjtë e Çamërisë. Dhe në atë rast, dorëzimi pa kushte është zgjidhja më e mirë.
I ngjet shumë Nanës Timë. Taman Kopja e Saj:
Prandaj bëhuni seriozisht gati për ndryshimet e mëdha që do të vijnë!
Burim: https://www.facebook.com/xhafer.shatri/posts/493934678398343

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code