RUSIA NJË SAÇ PLOT PRUSH MBI FATIN E HOLLË TË SHQIPTARËVE

Shkruan:
Xhafer Shatri

Po bëhen gati dy shekuj që Serbia, me ndihmën e pakursyer të Rusisë, i ka dëmtuar rëndë interesat jetike të shqiptarëve. Sepse ajo ka qenë dhe ka mbetur një avokat i vendosur i interesave politike të Serbisë, kudo që i jipej rasti dhe kudo që ishte prezente; në marrëdhënie bilaterale me shtete të ndryshme, në organizata ndërkombëtare, nëpër takime publike e të fshehta…

Deri tash, ndihma e Rusisë për Serbinë, në dukje të parë, ishte pa interesa, dhe bazohej në lidhjen fisnore sllave. Organet e shtetit rus, diplomacia në radhë të parë, ishin 24h/24h në shërbim të Serbisë.

Në këtë kartë Serbia ka luajtur vazhdimisht dhe ka përfituar shumë.

Tani me luftën në Ukrainë kanë “ndryshuar“ gjërat.

Perëndimi, qe një vit e këtej, po kërkon me këmbëngulje prej Serbisë që kjo t’i aplikojë sanksionet evropiane kundër Rusisë. Serbia, në dukje, po vazhdon të hezitojë, por nën plaf po punon natë e ditë që të përfitojë sa më shumë nga droja e Perëndimit që Putini ta nxisë edhe një konflikt tjetër në Ballkan: në Bosnje e Hercegovinë, në Kosovë dhe në Mal të Zi.

Serbia është skile e vjetër dhe ka shumë përvojë në përballjet e intersave të fuqive të mëdha nëpër rrugicat e ngushta gjeopolitike.

Nga kjo prizmë duhet parë deklaratat e ambasadorit amerikan, Kristofer Hill, në Beograd lidhur me Zajednicën etj…

Duke i lexuar nganjëherë deklaratat e tij, njeriut i shkon mendja se nuk është Hill, por ambasadori rus, Harçenko…

Por, problemi i Vuçiqit është se ndikimi rus në Serbi është substancial, shumica e serbëve e mbëshesin hapur agresionin rus në Ukrainë dhe Putini ka shumë më mbështetje në Serbi se sa kryetari i saj Vuçiq…

Prandaj për ta kthyer dashurinë serbe ndaj Rusisë në urrejtje duhet një alkimi e paparë deri sot.

Kristofer Hill është optimist!

Ndërkaq, Harçenko nuk është pesimist.

Sidoqoftë, si dashurinë e pakufijshme për Rusinë deri dje, poashtu edhe urrejtjen e shpifur ndaj saj sot, Serbia përpiqet t’i shesë sa më shtrenjtë, natyrisht në kurrizin e shqiptarëve.

Pra, asgjë e re në Lindje: Rusia ka qenë dhe ka mbetur një saç plot prush mbi fatin e hollë të shqiptarëve.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*