Shtetrrënuesi në krye te shtetit

Shkruan:
Xhafer Shatri

Hashim Thaçi po vazhdon të mos e lëshojë asnjë rast që i jipet pa e dëmtuar Kosovën dhe interesat jetike të saj. Shëmbulli më i mirë ishte Konferenca për siguri e mbajtur më 14-16 shkurt 2020, në Munih.

Thaçi u nis për në Konferencë jo si shef shteti që Kushtetuta e obligon të përfaqësojë unitetin dhe dinjitetin e kombit, por si cub. Sepse, ai pa u konsultur fare me Qeverinë, mori më vete disa çatipë të shtetit për të nënshkruar me Serbinë dy letra synimesh. Natyrisht, kryetari i Kosovës e bëri këtë me qëllim që ambasadorin Grenell, ta konfrontojë me qeverinë, konkretisht me Albin Kurtin.

Por doli se Thaçi i kishte bërë hesapet pa hanxhinë. Ai në Munih u diskreditua plotësisht si renegat që, duke bërë pazare me interesat vitale të Kosovës, po përpiqet të shpëtojë nga gjykata e Hagës.

Ndërkaq rivali i tij Albin Kurti, pa u sekelldis fare për kurthet e Thaçit, hyri drejt në politikën e madhe si lider i Kosovës dhe i shqiptarëve i shekullit XXI. Ishte hera e parë, pas kaq vitesh, që në një takim rëndësor ndërkombëtar Kosova të përfaqësohet denjësisht dhe ta bëjë krenar çdo shqiptar që i ka dy fije mend në krye.

Nga qëndrimet e qarta të Kurtit se Marrëveshje pa dialog nuk mund të ketë, se bisedime me harta e për harta nuk do të ketë dhe se komplotet e presidentëve me kufij kanë marrë fund përgjithmonë. Kështu që kjo platformë e re bëri që, krahas Vuçiqit të ndihen keq edhe dy bashkëvepruesit e tij, Hashim Thaçi dhe Edi Rama.

Qëndrimi i qartë i Albin Kurtit nxori në pah se tash më askush nuk i beson Hashim Thaçit. As ata që po e takojnë, sepse e dijnë se ky ka vetëm një hall: si të shpëtojë nga burgu. Në anën tjetër, Gjykata Kushtetuese ia ka marrë atij kaherë kompetencat e uzurpuara dhe tash të gjithë e dijnë se kush duhet të bisedojë, dialogojë dhe negociojë në emër të Kosovës. E ajo është Qeveria, gjegjësisht kryeministri.

I prekur keq në sedër nga debakli në Munih, Hashim Thaçi, me t’u kthyer, u përpoq t’i torpedojë, pa pikë turpi, ceremonitë shtetërore me rastin e 12 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Sepse ai nuk mori pjesë as në mbledhjen solemne të Kuvendit të Republikës e as në ceremoninë e ngritjes së Flamurit të Ushtrisë… Për më keq, ai e detyroi Protokolin e shtetit që të organizojë një ceremoni tjetër, 4 orë më vonë, në mënyrë që Thaçi t’u drejtohet i vetëm ushtarëve të Kosovës. Qëllimi ishte i qartë dhe i shëmtuar: me sjellje moskokëçarëse të përçojë mesazhin e keq: unë dhe vetëm unë kollitem këtu, unë jam Shteti! Kosova, Ushtria dhe shumëçka tjetër janë të miat dhe të askujt tjetër!

Ishte kjo praktika e përsëritur e përçarësit të thekur që nuk i honeps dot ata ose ato që mendojnë ndryshe. Me një fjalë, Hashim Thaçi nuk i duron dot njerëzit me kurriz, njerëzit që janë vetëvetja ata e ato që kanë një sistem krejt tjetër vlerash. Thaçi nuk e honeps dot sidomos botën e re që po vjen patjetër dhe me ngulm. Botën e re, të përfaqësuar denjësisht nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, të cilët nuk ranë në kurthin e tij, por në mbrëmje, pa asnjë kompleks, shkuan në pritjen zyrtare të organizuar nga kryetari i shtetit me rastin e Shpalljes së Pavarësisë.

Ky ishte një shëmbull tjetër i radhës se verdikti i 6 tetorit për ndryshim ka filluar të aplikohet në të gjithë zërat, në vendosjen e mendësisë shtetformuese parasegjithash.

Skandali i radhës i kryetarit mujshar të Kosovës është publikimi nga ai, në rrjetet sociale, i lajmit të pakonfirmuar zyrtarisht për njohjen e Kosovës nga Xhamajka. E bëri këtë i etur për të marrë meritat e huaja. E bëri papërgjegjshëm publike informatën interne, ani se ambasadorja e kishte theksuar se ajo nuk duhej shpërndarë pa ardhur nota verbale e pranimit.

Me këto akte të freskëta dhe me shumë të tjera në vazhdimësi, Hashim Thaçi dëshmoi, për të satën herë, se është një pushtetar i paskrupull që nuk ka asgjë të përbashkët me burrin e shtetit.

Në pjesën më të madhe të veprimeve të tij kryetari aktual i Kosovës  është dëshmuar si shkelës i Kushtetutës dhe si shtetrrënues.

I takon prandaj Kuvendit të Kosovës, grupeve parlamentare të tij, përfshirë edhe opozitën, që të nisë procedurën për shkarkimin e Hashim Thaçit, sepse ai me sjelljet dhe veprimet e tij po i rrezikon interesat e vendit dhe, duke poshtruar Kosovën, po e poshtron çdonjërin prej nesh.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*