Si ta shpëtojmë Grykën e Rugovës?

Shkruan Xhafer SHATRI

U bënë 20 vjet që shqiptarët kanë pushtet në Kosovë dhe kishin të gjitha mundësitë ta ruajnë dhe ta kultivojnë nënën e tyre të përbashkët, NATYREN. Si në shumë fusha të tjera edhe këtu dështuan edhe si shoqëri edhe si shtet edhe si komb. Mjafton t’u hedhim një sy sidomos fushave, maleve dhe lumenjve pa të cilët nuk ka jetë. Fushat, një pjesë e mirë, edhe pas dy dekadash në liri janë ende djerrë; malet janë dëmtuar substancialisht me ndihmën e pakursyer të zullumçarëve të veshur me pushtet. Për turpin tonë malet e Kosovës nuk janë dëmtuar, por janë masakruar si kurrë ndonjëherë më parë. Dhe askush nuk është marrë në përgjegjësi për këtë shkatërrim, ani se Kosova ka qeveri, polici, prokurori e gjykata.

Lumenjtë janë në gjendje edhe më të keqe, ata janë shkallmuar me mihjen e rërës pa asnjë kontroll, ndërkaq shtrati i tyre më shumë i ngjajnë një deponive masive të bërllogut.

Protesta e ditëve më parë në Pejë, ishte shenjë e një fillimvetëdijësimi kolektiv se, nëse nuk e mbrojmë natyrën, si e mirë e përbashkët, këtë nuk do ta bëjnë kurrë matrapazët që kanë vetëm një ideal në jetë : t’i mbushin xhepat me para, me para të huaja kryesisht.

Po të mos ishte kuptuar, ani se me një vonesë të madhe, shkatërrimi i Grykës së Deçanit, sidomos Lumbardhi i saj, ndoshta edhe Lumëbardhi i Rugovës do ta pësonte të njëjtin fat.

Por kur flasim për energjinë e ripërtëritur, konkretisht për hidrocentralet,  shtrohet pyetje pse të mos ndërtohet një hidrocentral në Grykën e Shtedimit, duke ngritur një pendë mu rrëzë Blinajës e Vidhishtës, që do të akumulonte mbi 50 million metra kub uji, pa dëmtuar fare natyrën. Për më tepër duke krijuar një Liqe artificial në këtë Grykë, ai do të begatonte shumë  turizmin në Alpet e Kosovës dhe do të ishte një rezervuar uji i domosdoshëm për të parandaluar lehtësisht, me një kanader të vetëm, çdo dëmtim nga zjarret e mundshme gjithandej ku ka shtrirje Parku Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna“.


Shtedimi

Një hidtrocentral i tillë do të furnizonte me rrymë qendrat e ardhshme të skijimit në Rugovë dhe do të hapte mundësi edhe për masivizimin e sportit, konkretisht të hokejit dhe skijimit nordik, që nuk janë fare të pranishëm në Kosovë.

Është për t’u çuditur se si Ligji për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna“, që edhe pas kaq vitesh mbeti vetëm në letër të mos ketë paraparë shfrytëzimin racional të burimeve të ujit dhe mundësinë e krijimit të një liqeni të madh artificial mu në zemër të Alpeve tona.

Të shpresojmë që gjatë rishqyrtimit të Ligjit për Parkun Nacional, do të ndalohet njëherë e mirë shkatërrimi i maleve, do të përpilohet një plan adekuat hapësinor që do të mundësojë ndërtime me plan dhe, natyrshëm, investime afatgjata në turizmin bjeshkor.

Pendë mbrojtëse në fund të Grykës së Shtedimit

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*