SJELLJA SKANDALOZE E QEVERISË SË KOSOVËS NË VERI

Shkruan:
Xhafer Shatri

Në fund të vitit të kaluar, pa folë për instiotucionet, çdo person i mirinformuar parashihte ashpërsimin e gjendjes në veri të Kosovës. Ky ishte interes i qartë dhe krejt i dukshëm i Serbisë.

Ndërkaq, për habinë e të gjithëve, organet e Kosovës, në vend që të jenë maksimalisht të kujdesshme dhe të mos bien në kurthin e tejdukshëm të Vuçiqit, e bënin të kundërtën. Ia bënin argatin Serbisë.

Menagjimi skandaloz i problemit të targave nga qeveria e Kosovës, prej fillimit, e sidomos në fund, kur u hodh poshtë, e me rrapëllimë, propozimi pajtues amerikan, çonte ujë drejtpërdrejt në mullirin e Vuçiqit.

Arrestimi i ish-funksionarit të policisë së Kosovës mu te Dogana në veri, ishte një akt jo vetëm i pamenduar por edhe krejtësisht joprofesional. Si mund të arrestohet kushdo qoftë, kur ata që arrestojnë nuk mund ta dërgojnë të pandehurin as në burg, por detyrohen ta mbajnë në lokale administrative, në kufi…?

Me këtë akt budallë organet e Kosovës i dhanë Vuçiqit shkasin për t’i vënë në veprim rreth 600 serbë të Kosovës që Serbia i kishte stërvitur paraprakisht në Rashkë, për diversione në Kosovë.

Vazhdimi dihet: barrikadat dhe futja e Kosovës, edhe me fajin e dukshëm të qeverisë së saj, në lajmet alarmuese të medieve botërore.

Siç e kanë pranuar edhe analistë serioz serbë, ushtarët e Vuçiqit nëpër barrikada, dhe jo vetëm ata, ishin të sigurtë se ky ishte grushti më serioz që i jipej integritetit territorial të Kosovës qe pas Luftës e këtej.

Në kulmin e krizës me barrikadat, Xhelal Sveçla, i dërgoi njësitë speciale të policisë 100 km larg veriut, në Hoçë, për të penalizuar një serb për shkak të prodhimit ilegal të verës. Ndërkohë që, në këtë rast, do të mjaftonte një nëpunës i administratës për të marrë informacionet dhe vendimin e nevojshëm.

Me këtë veprim të rrezikshëm e të dyshimtë plotësohej mozaiku propandastik i Vuçiqit, i cili teatralisht derdhte lotë krokodili për gjoja rrezikimin kolektiv të serbëve në Kosovë.

Për habinë e çdo njeriu normal, për këto veprime të rrezikshme kundër Kosovës, askush nga institucionet e saj as nuk kërkoi e as nuk dha përgjegjësi.

Më 10 prill 2023, në orat e vona të natës, u përhap lajmi se një serb, shofer taksie, ishte plagosur me armë zjarri në veri.

Menjëherë pastaj mediet serbe (jo ato shqiptare!!!), kërkuan sqarime nga policia për këtë rast. Dhe zyrtarët policor deklaruan se policia as nuk ka dijeni dhe as nuk ka dorë në këtë plagosje.

Pas disa orësh, Petar Petkoviq, povereniku i Serbisë për Kosovën, e akuzoi drejtpërdrejt policinë tonë për këtë akt. Organet e Kosovës heshtën si peshku.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, si duket i informuar për implikimin e policisë në këtë plagosje, kërkoi me shumë mirësjellje nga organet e Kosovës që ta zbardhin këtë rast. Pra ta kryejnë detyrën e vet!

Mirëpo, çatipëve të Xhelal Sveçlës iu deshën 10 orë të zgjohen nga gjumi dhe ta konstatojnë një të vërtetë që e dinin edhe zogjtë: prapa plagosjes se taksistit serb qëndronte policia e Kosovës!

Përpjekja e Sveçlës për ta akuzuar taksistin e shkretë se nuk qenkësh ndalur, prandaj polici është detyruar ta ndalë me plumba, është një cinizëm i lig që Kosova nuk guxon as ta besojë e aq më pak ta përbijë.

Më sa po shihet në qeverinë e Kosovës janë dy rryma, njëra që po përpiqet seriozisht ta vendosë rendin dhe ligjin në veri dhe një tjetër që po e bën të kundërtën dhe, mjerisht, në emër të organeve të rendit.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*