Skandali i radhës i Bali Katravellës

Në folklorin tonë Bali Katravella është një personazh i njohur me emër e me bëma. Kënga plot humor për të pasqyron personin që është “kot fare”, po që e hasim shpesh në jetën e përditshme:

O i lumi unë për t’lumin Zot,

O ish kanë Bali Katravella,

Pehlivan o Zoti e kish falë!

E kish pasë shallin prej suxhuki,

E kish pasë pushkën prej kakude,

E fishekt me kokrra pasuli,

E i kish pasë bumet prej kopurdhave,

E kish pasë shpatën prej shevari,

E muzdrakin prej bishtit t’pacërrkës…

Por me kohën BK u bë personifikim i spiunit dhe politikanit kodosh. Lorka i shqiptarëve, Jusuf Gërvalla, në shkrimin e tij “Kopili i eposit”, Bali Katravellën e përshkruan kështu: “Mbi ballin e ulët i përvidhet një shkëlqim tinëzar. Nga buzëqeshja e tij e thartë po e pakursyer: me gojën hapekrah…, të kap tmerri… Ai t’i tregon dhëmbët, por t’i fshehë këmbët. Vetëm këpuca e tij e rriptë i di shtigjet e tij plot muzg”.

Ndërkaq maestro, Teki Dervishi, në njërin prej skeçeve që na bënin të qeshnim në vitet ’90, në ato vite të gazepit, e zhvesh krejt Bali Zezën dhe e çepon kamxhi:

O ma i madhi faqezi,

Ishe shok tash je zotëri!

Mos kujto që janë harruar,

T’zezat tua që na i ke gatuar!

Lloji yt kimen e ndërron

Por zanatin s’e harron…

Dhe vërtet nuk e harron, sepse Hashim Thaçi, alias Bali Katravella i ditëve tona, s’e ka ndërmend të ndalet së talluri me Kosovën dhe me ne.

Në shtator të këtij viti, Thaçi u prit në Vatikan nga Papa Françesku. Dhe bëri atë që deri sot nuk e kishte bërë askush: njoftoi Vatikanin se kishte emëruar për aty përfaqësuesin e Kosovës, pa marrë mundimin që paraprakisht ta kërkojë mendimin dhe aprovimin e Selisë së Shenjtë për emërimin dhe të emëruarin! Siç praktikohet prej shekujsh… aq më tepër kur Vatikani, për shkaqe që dihen, ende nuk e ka njohur Kosovën!

Përfaqësuesit e shteteve aleate të befasuar nga ky gjest mujshar, po përpiqen ta “ndreqin” disi e në heshtje këtë akt marrëzie presidenciale.

Nuk është hera e parë, por as e fundit, që HTH na turpëron të gjithëve. T’i kujtojmë edhe disa bëma të tjera:

Në pranverë të vitit të tmerrshëm 1999, kur forcat serbe po e zbraznin Kosovën, kur po vriteshin masivisht njerëzit e po përdhunoheshin motrat tona, Hashim Thaçi, në cilësinë e shefit të UçK-së, “kryeministrit” të “qeverisë së përkohshme” çirrej në TV, me arrogancën e tij të spikatur: Ku është inteligjenca që nuk po i prin popullit?

Ndërkohë që ky gjithandej rrihte gjoksin se “vranë e kthjellë”, se është shefi suprem i Kosovës.

Pas luftës, në një mbledhje të Kuvendit të Kosovës, kur kryeministër ishte i ndjeri Bajram Rexhepi, dhe kur ky po ankohej me të drejtë se UNMIK-u po kufizonte dhe po pengonte sistematikisht veprimtaritë e Qeverisë, Hashim Thaçi u ngrit dhe tha: Keni tepër të drejta, shumë më tepër se që i meritoni!

Në vitin 2003, atëherë kur pritej të shpallej Pavarësia e Kosovës dhe të ndalej politika rrënimtare e UNMIK-ut, Thaçi doli me idenë për moratorium, ngrirje të shpalljes së Pavarësisë për 20 vjet! Ishte kjo një shuplakë për të gjithë ata që donin ta shihnin Kosovën të pavarur, me organe e institucione vetjake! Këtë propozim e mbështeti me zemër Steineri, guvernatori i asaj kohe, një snob i sëmurë që bashkë me UNMIK-un mbijetonte vetëm në saje të parisë së papërgjegjshme të Kosovës.

Njohësit e rrethanave e dinin mirë se ky propozim marrok, ishte bërë me qëllimin e vetëm që Pavarësia të mos shpallej derisa partia e Thaçit të mos e merrte pushtetin! Pra, derisa të krijoheshin kushtet që jo dikush tjetër, por Hashim Thaçi ta “bënte historinë”!

Veprimet katravelliste të Thaçit do të vazhdonin edhe pasi ai e mori pushtetin.

Më 14 nëntor 2008, posa EULEX-i kishte filluar të vendosej në Kosovë, u hodh një mjet shpërthyes në ndërtesën e tij. 5 ditë më vonë, derisa po hetonin lidhur me autorët e mundshëm të shpërthimit, u arrestuan nga Policia e Kosovës tre oficerë të Shërbimit Sekret gjerman. Policia e Kosovës i pandehu ata si të dyshimtë për shpërthimin në ndërtesën e EULEX-it, një mision i BE-së, ku Gjermania kishte dhe ka fjalën kryesore!

Arrestimi u bë në prezencën e mediave. Ishte e shëmtuar t’i shihje tre oficerë të një shteti aleat që atëherë, nëse nuk gaboj, i kishte në Kosovë rreth 15.000 ushtarë, se si poshtëroheshin nga pjesëtarët e SHIK-ut të kamufluar me uniforma të SHPK-së!

Në fakt, arrestimi ishte bërë për motive krejt të tjera: oficerët e Shërbimit Sekret gjerman po hetonin bosët e krimit të organizuar në Kosovë. E këta, bosët, ishin në krye të PDK-së dhe të institucioneve të Kosovës.

Në demonstratat e vitit të kaluar, kur opozita kundërshtoi vendosmërisht Marrëveshjen e rrezikshme për demarkacionin, Hashim Thaçi bashkë me shërbëtorin e tij të radhës, kryeministrin kukull, provokonin demonstruesit: hajdeni, hajdeni, se po ju presum!

Kjo ishte një dëshmi tjetër se në krye të shtetit në vend të një burrë shteti, ishte vënë një burracak.

Këto ditë kur opozita, kryeministri aktual dhe Komisioni për shqyrtimin e Marrëveshjes së demarkacionit po vënin sërish në pikëpyetje, me argumente të palëkundshme, Marrëveshjen problematike, Hashim Thaçi, kudo që ishte, në Kosovë apo jashtë saj, nuk linte një rast të vetëm pa thënë me cinizmin e tij primitiv: Nuk keni çare as derma pa e aprovuar këtë marrëveshje!

Tashmë dihet botërisht se, me kërkesën e Thaçit, BE-ja po e kushtëzon liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës me aprovimin e Marrëveshjes për demarkacionin. Mirëpo HTH, me logjikën dhe fjalorin e njohur të kodoshit, nuk po lë rast pa akuzuar kundërshtarët e këtij akti anti-Kosovë se këta po e penguakan lëvizjen e lirë të shtetasve tanë!

Kur, para disa javësh, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, erdhi për vizitë në Kosovë, Hashim Thaçi, pa pritë e pa kujtu, i kërkoi mikardhësit që Shqipëria t’i pajisë shtetasit e Kosovës me pasaporta, në mënyrë që këta të kenë mundësi të lëvizin lirshëm.

Kjo kërkesë absurde e la pa frymë skraparlliun e njohur për gjakftohtësi të akullt.

Tash, kur fuqia e tij politike është zbehur krejtësisht, dhe kur përballja me Gjykatën Speciale po shihet krejt e pashmangshme, Hashim Thaçi është lëshuar në ndarjen me thes të medaljeve dhe me kritika të ashpra në llogari të bashkësisë ndërkombëtare, se gjoja e paskëshin detyruar të nënshkruante dokumente e marrëveshje të dëmshme për Kosovën dhe si kundërshpërblim Kosova kishte marrë vetëm gishtin e tretë.

Kjo është një lojë që askush nuk e merr seriozisht. Edhe faktorët ndërkombëtarë tashmë po e trajtojnë HTH si kartë të djegur dhe si një nëntëdhjetenëntësh që po përpiqet ta shpëtojë lëkurën e tij dhe se për të Kosova e qytetarët e saj janë shqetësimi më i vogël.

Ajo që habit është qëndrimi qyqar ndaj këtyre veprimeve shtetrrënuese i shumicës së mediave të vendit, sepse tregon përmasat e kontrollit që ka mbi to shefi i Prontomafisë.

Fundja, çështja e heshtjes së mediave mund të interpretohet gjithqysh, por ai që duhet të merret njëherë e mirë dhe seriozisht me bëmat e Hashim Thaçit do të duhej të ishte Kuvendi i Kosovës. Pikërisht në Kuvend duhet të shqyrtohen veprimet anti-Kosovë të atij që kapardiset si president e sillet si huligan.

Marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe, përmes së cilës përvijohet hullia e ndarjes së Kosovës, pastaj Marrëveshja për demarkacionin dhe veprime të tjera të ngjashme duhet të shqyrtohen seriozisht në Kuvendin e Republikës dhe të merren masa në përputhje me dëmet e shkaktuara: Rezultati i të cilave duhet të sjellë shkarkimin e Hashim Thaçit, sepse kjo është e vetmja mënyrë për t’i ndalur bëmat e tij, të cilat dëmtojnë, fyejnë e poshtërojnë çdo qytetar të Kosovës dhe interesat jetike të tyre.

 Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*