Udhëtimi rreth Botës

Shkruan:
Xhafer Shatri

Udhëtimi rreth Botës

Te dashur miq,

Një mundësi e papritur më dha idenë, poashtu të papritur, për të bërë një udhëtim rreth Botës. Kjo më prishi jo pak plane që kisha për këtë verë në Kosovë, ku kohët e fundit shkoj më shpesh dhe rri më gjatë. Me shpresën e pavenitur për t’u vendosur përgjithëmonë aty. Pavarësisht të Keqes që e ka kaplu.

Kjo çështja e shpresës së pavenitur lidhet me shumë gjëra të prekshme po edhe të pathënshme, por nuk ankohem pse u zgjat kaq shumë, por jam mësuar me jetën e nomadit dhe me gjëllimin ‘Anës së Lumenjve’. Shpirtërisht kjo ka të bëjë me Poezinë lapidare të Nomadit të Përjetshëm, Fan Nolit, por edhe me një fakt tjetër krejt konkret : Une prej 37 vitesh jetoj në mes dy lumenjve: Ronës dhe Arvit, i pari buron në Alpet e Zvicrës ndërsa i dyti në ato të Francës. Duhet shtuar se mu në mes të Gjenevës, Liqeni i Lemanit kthehet sërish në lumë, në Ronën që krijon Liqenin e madh 120 kilometra më larg…

Me ujin e Liqenin Leman, shpesh e kam larë ftyrën e përlotur nga zezona që e kishte zaptu Kosovën, nga dhimbja për Jusufin, Kadriun e Bardhoshin, për Zijahun, Rexhepin e Nuhiun… Për zhgënjimet në vetminë e mërgimit që një idealisti mund t’ia shkaktojnë vetëm besëpremtë e bukëpërmbysët…

Në këtë udhëtim të Gjatë, jo i famshëm si ai i Macedunit dhe jo aq i vështirë sa i Magelanit, do të shkel e do të njoh vende që nuk i kam vizituar kurrë, por edhe ato që i kam vizituar, por asnjëherë si turist, po me detyrë, ngutshëm e me shumë stres, në përpjekjet për çlirimin e Kosovës. Në këto vende do të kem rast ta njoh më mirë edhe vetvetën; për të parë, dy e sa dekada më vonë, përmasat e pabesueshme të koncentrimit në një mision idealist.

Pse gjithë ky shpjegim për një projekt e përjetim krejt personal?

Sepse ua kam borgj miqve dhe përcjellësve të mi në FB por edhe në Blogun tim xhafershatri.info, që janë mësuar t’i përcjellin paraqitjet e mia në këto faqe interneti.

Pra, tash e tutje për një periudhë prej disa muajsh, nuk do të jem i rregullt me paraqitje. Nuk do t’ju lodh as me fotografi të ndryshme nga cepër e Botës, sepse më duket banalizim i kontaktit me ju. Por as me reportazhe. Këtë do ta bëj më vonë në formë të një libri udhëpërshkrues që do t’ju bëjë, në një farë mënyre, gjithsecilin prej jush bashkudhëtar.

E tëra kjo pak më konkretisht do të thotë se tash e tutje, edhe në rast të ndonjë paraqitjeje (skicë, kronikë, analizë, koment etj.), lidhur me aktualitetin shqiptar nuk do të kem mundësi t’ju përgjigjem letrave, komenteve ose reagimeve tuaja. Madje as telefonatave.

Dhe këtë mos e merrni kurrsesi ndryshe veçse si mungesë kohe të një udhëtari të vonuar.

Do të ndëgjohemi!

Ju dëshiroj të gjithëve një verë të mbarë, pushime të këndshme dhe sa më pak shqetësime!

Juve, Anëslumenjsh, realizëm në vend të nostalgjisë dhe një porosi të njeriut që ka ndarë me ju shumë ëndërra, shpresa e beteja: të përçoni një frymë kritike (por jo sharje) kudo në dheun e shqiptarëve dhe veçanërisht të mos i thuani të Keqes kurrë: Tungatjeta!

Nuk është lehtë me jetu dhe me vdekë faqebardhë, por është një fitore kolosale e të Mirës mbi të Keqën.

Ia ka vlejtur dhe ia vlen!

Mirudegjofshim!

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*