Urdhëroni, ejani: si ia hapi Kosova udhën Gjykatës Speciale

Shkruan:
Enver Robelli

Nuk mund t’i mbrojmë dëshmitarët, le të vijë një ekip hetuesish ndërkombëtarë në Kosovë për të ndriçuar akuzat: një kronologji deklaratash të politikanëve kosovarë për kujtesën e harrestarëve. Dhe një rrëfim për një ruse dhe një turk që erdhën në Prishtinë të joshur nga mafia “mjekësore”.

Këto ditë po flitet shumë për Gjykatën Speciale. Rrëfimi më i dëgjuar i atyre që nuk duan kurrfarë drejtësie, është ky: Kosovës i është imponuar kjo gjykatë, kjo është padrejtësi, duhet të kundërshtojmë e kështu me radhë. Të tillët nuk interesohen për asnjë fakt. Të tillët prej vitesh thonë se duhet të amnistohen krimet në të dy anët. Qëllimi është që në amnisti të futen edhe krimet që janë kryer nga shqiptarët kundër shqiptarëve (ato që njihen si vrasje të pasluftës, sidomos). Të shohim si është sjellë pushteti kosovar pasi në fund të vitit 2010 u bë publik raporti i rrezikshëm i Dick Marty-it, i shkruar për Këshillin e Europës.

Më 29 dhjetor 2010 kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi në një intervistë dhënë gazetës zvicerane “Tages Anzeiger” tha se, ndonëse akuzat janë hetuar nga OKB, nga administrata e OKB-së në Kosovë dhe nga Eulexi – “unë jam i hapur për hetime të tjera”. Domethënë: i hapur edhe për hetim ndërkombëtar. Njëkohësisht Thaçi tha se do ta padiste Dick Marty-in, të cilin e krahasoi me Joseph Goebbelsin, shefin e propagandës së Adolf Hitlerit.

Më 2 janar 2011 Jakup Krasniqi, atëbotë kryetar i parlamentit dhe ushtrues detyre i presidentit të Kosovës, i dha një intervistë gazetës zvicerane “NZZ am Sonntag”. Aty Krasniqi lidhur me raportin e Marty-it tha: “Propozoj një komision ekspertësh ndërkombëtarë, i cili nga aspekti kriminalistik dhe forenzik do të konstatonte nëse ka ekzistuar fare tregtia me organe. Të gjithë duhet të marrin pjesë në atë komision: BE, SHBA, Zvicra. Ne vetë jemi të interesuar ta dimë nëse grupet kriminale kanë bërë diçka të tillë”. Jakup Krasniqi atëbotë tha se e përjashton mundësinë se UÇK të jetë financuar nga tregtia me organe, drogë apo armë. Por, shtoi Krasniqi, “nëse një anëtar i UÇK-së ka qenë i involvuar në këso gjërash, ne distancohemi prej tij. Nuk mund të përjashtoj se edhe ndër shqiptarë ka njerëz të këqij, si gjithkund”. Në këtë intervistë Jakup Krasniqi madje e pranon se Kosova ka problem me mbrojtjen e dëshmitarëve, andaj thotë: “Nëse arrihet në përfundimin se Kosova nuk mund t’i mbrojë dëshmitarët, atëherë le ta bëjnë këtë organizatat ndërkombëtare. Këtu është vështirë. Shtetet perëndimore mund ta bëjnë këtë”.

Domethënë: kemi dy eksponentë të rëndësishëm të ish-UÇK-së, Hashim Thaçin, i cili ka qenë komisar politik i UÇK-së, dhe Jakup Krasniqin, i cili ka qenë zëdhënës i UÇK-së, të cilët nga pozitat më të larta shtetërore (njëri kryeministër dhe tjetri kryetar i Kuvendit, njëkohësisht ushtrues detyre i presidentit) kanë deklaruar se janë të hapur për hetime ndërkombëtare, i kanë bërë thirrje SHBA-ve dhe BE-së të nisin hetimet, bile Krasniqi ka pranuar se Kosova e ka të vështirë t’i mbrojë dëshmitarët, andaj i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta kryejë këtë punë. Është me rëndësi të dihen këto deklarata, për t’i ndërprerë kualifikimet kuturu të propagandistëve të ndryshëm, të cilët kanë raport armiqësor me faktet dhe raport tepër miqësor me zhurmën kinse patriotike.

Sa i përket dëshmitarëve: pak pasi Jakup Krasniqi tha se Kosova e ka të vështirë t’i mbrojë dëshmitarët, raportuesi i Këshillit të Europës, Jean-Charles Gardetto, në një raport për mbrojtjen e dëshmitarëve që kanë të bëjnë me krimet e luftës nënvizoi se në Kosovë vriten dëshmitarët që guxojnë të japin dëshmitë e tyre për rastet e krimeve të luftës. Ata dëshmitarë duhet urgjentisht të strehohen jashtë Kosovës, tha Gardetto. “Dëshmitarët shihen si tradhtarë nga komuniteti kur japin dëshmitë e tyre, kjo i dekurajon dëshmitarët të shpalosin dëshmitë e tyre. Për më tepër, shumë njerëz nuk besojnë se kanë obligim moral dhe legal për të dëshmuar në çështje kriminale”.

Qasja e Kosovës pas dy raporteve të Këshillit të Europës (atij të D. Marty dhe tjetrit të J.-Ch. Gardetto) nuk ka qenë ofensive, por defansive. As që është thënë se me akuzat do të merret vetë Kosova, por menjëherë i është ofruar bashkësisë ndërkombëtare të kryejë këtë punë, sepse – të rikujtojmë deklaratën e kryetarit të atëhershëm të Kuvendit – në Kosovë as dëshmitarët nuk mund të mbrohen.

Në dekadën e fundit janë bërë shumë gabime sa i përket ballafaqimit me raportet e Këshillit të Europës. Dhe përgjegjësinë (pse jo edhe fajin) për këtë e bart në radhë të parë Partia Demokratike e Kosovës, e cila duke qenë partia me më së shumti ndikim jo vetëm në politikë. Ajo nuk i ka marrë seriozisht raportet dhe nuk ka pasur kurrfarë strategjie afatgjatë të ballafaqimit me këtë kapitull tepër delikat. Rezultati është ky që e kemi parë: një Gjykatë Speciale për një pjesë të historisë speciale të Kosovës.

Se Kosova është sjellë krejt symbyllur ndaj problemeve me krimin e organizuar, e tregon edhe rasti i klinikës “Medicus”, ku njerëz të afërt edhe me pushtetin e atëhershëm kosovar, u morën me transplantime ilegale të organeve. Një bandë me shtrirje ndërkombëtare (në Kosovë, Turqi, Izrael) gjente viktima që dëshironin të shisnin veshkën. Pastaj shitësja dhe blerësi vinin në Kosovë. Në klinikën “Medicus”. Revista gjermane “Der Spiegel” ka shkruar në vitin 2012 se në korrik 2008 një gjerman dhe një ruse e punësuar në Izrael erdhën me avion nga Stambolli në Prishtinë. Rusja do shiste veshkën, gjermani do e blinte. Heqja e veshkës u bë në “Medicus”. Rasti është hulumtuar hollësisht nga Eulexi. Më 4 nëntor 2008 në aeroportin e Prishtinës e lëshuan këmbët turkun 23-vjeçar Yilman Altun. Nga këmisha i depërtonte gjaku. Policët e dërguan te mjeku i aeroportit, i cili konstatoi se Altunit i ishte hequr një veshkë. Sipas Altun, heqja ishte bërë në klinikën famëkeqe “Medicus”. Policia gjeti në Prishtinë edhe marrësin e veshkës: një izraelit 74-vjeçar.

Ku ka qenë shteti i Kosovës kur bënin vaki këto tmerre? Ka njerëz në Kosovë që ende habiten pse Kosova e ka imazhin e keq, pse bashkësia ndërkombëtare nuk i beson qeverive të Kosovës, pse kaq shumë hajdutë shëtisin të lirë, pse ekziston kjo kulturë e pandëshkueshmërisë? Shumë “pse” dhe pak ose aspak përgjigje nga ata që duhet të përgjigjen. Të mbash shtet është pak më shumë se të manipulosh një tender.

Burim: https://www.koha.net/veshtrime/219625/harta-kufij-dhe-plan-per-kosoven-cfare-mund-te-ndodhe-ne-muajt-ne-vijim/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*