
Shkruan: Xhafer Shatri
Hashim Thaçi gjatë luftës kishte si nofkë një emër të padëgjuar ndonjëherë në ndonjë Lëvizje politike : Gjarpen (emër në versionin gegërisht).
Gjatë gjithë aktivitetit të tij politik, ai u dëshmua se vërtetë kishte përzgjedhur nofkën që më së miri i përshtatej karakterit të tij: i pabesë, i paskrupull, helmues, i pakapshëm…, etj., etj.
Këtë natyrë ai e ka dëshmuar edhe në komunikimin me mediet.
Përderisa në mediet e Kosovës ndihet krejt komod, ku sillet me arrogancë huligani, duke fyer moderatorët e debatuesit, duke rrahur gjoksin për meritat që nuk i ka, si burracak që është, ai pështyen publikun në fytyrë pa i bërë syri vër. Këtë komoditet ia krijon fakti se shumë gazetarë në Kosovë janë kërcënuar drejpërdrejt prej tij ose eskadroneve që ai komandon, ndonjërit i mjafton një klikim syri për ta bërë pyetjen e porositur, tjetrin e ka shok të karaxhozllëqeve të përbashkëta, ndonjë moderator tjetër që është profesionist stepet para arrogancës së Gjarpnit, të veshur me pushtet të pakufijshëm, por, sherrisht, e lë të shfryhet e të harxhohet sa më shpejt….
Ndërkaq në Shqipëri, sidomos kohët e fundit, Gjarpni po ndihet gjithnjë e më keq. Po ndihet dhe shihet si këpuca e shqyer në llucë.
Kjo u pa sidomos në një debat në emisionin “Të paekspozuarit“ të Ylli Rakipit dhe me dy analistë të njohur : Fatos Lubonja e Andi Bushati, në mbrëmjen e 31 janarit 2019.
Ia vlen ta shikoni me vëmendje se si vërtitej Gjarpni në prushin e pyetjeve të pamëshirshme të gazetarëve profesionistë:
A keni lidhur marrëveshje të fshehtë me Vuçiqin ?
A keni pranuar te vihen në tavolinën e bisedimeve kufijtë e Kosovës ?
Pse pikërisht tash po konsideroni se është ‘momentumi’ ( !!!) për të lidhur marrëveshje me Serbinë ?
Pse Berlini e Londra në mënyrë të përsëritur po këmbëngulin se janë kundër ndryshimit të kufijve, ndërkaq ju po këmngulni se keni mbeshtetjen e BE-se… ?
Në vend që të përgjigjej, ai nxehej dhe nuk dinte as çka po thotë : Ju po e akuzoni Amerikën se po punon për Rusinë! Taman trutredhur!
…
Bushati, Lubonja e Rakipi talleshin me të në mënyrë perfekte.
I zënë ngusht, Gjarpni, herë arsyetohej me meritat e tij gjoja të pakrahasueshme për çlirimin e Kosovës e herë e nxjerrte Amerikën si mburojë absolute për të evituar pyetje-shigjetat e rrezikshme. Ishte gallatë ta shihje kah pështillej nëpër prush i egërsuar e i zënë ngusht, por pa hezituar, në nokdaun e sipër, ta bëjë aty këtu ndonjë kafshim…
Nuk përgjigjej në asnjë pyetje. Vetëm ‘për Shkup e për Shkodër’.
Këshilltarët e tij hipokritë, sigurisht, pas daljes së tij nga studio e valë do t’ia lavdërojnë përgjigjet marroqe por opinioni, ky arbitër i pamëshirshëm, edhe kësaj radhe pati rastin ta kuptojë se ylli i Hashim Thaçit definitivisht është duke u kthyer në kometë.
Shiheni dhe binduni :
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.
Be the first to comment