Urime ditëlindjen Nana Timë

Shkruan:
Xhafer Shatri

Të nderuar miq,

Sot Nana ime, Time Shatri e gjinisë Kabashi, i ka mbushur 102 vjet.

Jeta e saj është një kapitull i veçantë i historisë së Kosovës.

Ajo, përkundër peshës së viteve, ka kujtesë të kthjelltë dhe rrëfen për shumë ngjarje, që i ka ndëgjuar nga prindërit e saj, apo që i ka përjetuar vetë;

Luftën e Nokshiqit, Krimet e Savë Batares, Luftën e Kaçakëve, plaçkitjet e Gal Tërziqit, krimet e Miliq Krstiqit (Krstës), kohën e kolonizimit, terrorin serb të viteve ’30-të shekullit të kaluar, vrasjen e pabesë të Selman Kadrisë, “kohën e Shipnisë së Vjetër, ardhjen e partizanëve, Luftën në Kacuberr e Novi Pazar, Kryengritjen e Drenicës, krimet në Kullën e Popit dhe te Lluga e Xhamisë në Istog, Kaçakët e pas Luftës së Dytë Botërore, “Otkupin“, vitet e rënda të angarisë (punës së përdhunshme), Aksionin e Armëve, shpërnguljet masive për në Turqi, vrasjen e Haxhi Tishukut, vrasjen e 4 mësuesve shqiptarë në kufi: Ismail Balaj, Metë Alaj, Ramadan Shala dhe Tahir Dushi. I pari, Smajl Balaj ishte bashkëfshatar yni, të gjitha format e terrorit të Rankoviqit, përjetimet e veta gjatë vizitave nëpër burgjet e Kosovës, Maqedonisë, Serbisë, Vojvodinës dhe Malit të Zi, përjetimet e Luftës së fundit dhe ndiesinë që të krijon fakti kur e sheh të djegur e të bërë shkrumb e hi shtëpinë, në të cilën ajo kishte derdhur mundin e një jete të tërë.

Vëç këtyre ngjarjeve Nana Timë, e di përmendsh Këngën e Oso Kukës, Ç’janë këto gjamë që po i bjen era, këngët e nizamëve, këngë të kaçakëve, Këngën për Tragjedinë në Bjeshkën e Shtedimit, kur nga përmbytjet që kishte shkaktuar rrebeshi i shiut kishin vdekur mbi 30 veta, prej tyre shumica gra e fëmijë…

Nana Timë edhe sot, në këtë moshë, bën punë dore: qëndis me krrabëza dhe prodhon për çdo ditë veshmbathje me një shije të hollë dhe energji rinore.

Veç kësaj Nana Timë përkujdeset maksimalisht për oborrin e saj, ku çdo pranverë çelin e gjelbërojnë drunj dhe lule nga më të ndryshmet.
Për Nanën Timë kujdeset me shumë përkushtim mbesa e saj Floria, me të cilën ajo ndanë shumë përjetime e “sekrete” të cilat nuk ka mundur t’i zbulojë kurrë as xhandarmëria e krajlit, as Kuestura, as OZN-a, as UDB-a dhe as SHIK-u i cubave të Kosovës.
Kur nuk është Floria aty, Nana Timë bën “llaf“ me lulet e veta thuase i ka përreth krejt krushqit e një dasme.

Përkundër telasheve me shëndetin, sidomos me kordhat e zërit që po ia dëmtojnë të folurit, Nana Timë mbahet mirë.
Te gjithë ne ia urojmë Ditlindjen e 102-të Nanës, Gjyshës dhe Stërgjyshës tonë të shtrenjtë dhe i dëshirojmë edhe shumë Ditëlindje të tjera.
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*