Pse uzurpuesit e LDK-së po këmbëngulin për kryeparlamentarin?

Shkruan:
Xhafer Shatri

Pse uzurpuesit e LDK-së po këmbëngulin për kryeparlamentarin?

Edhe për barinjtë në Bjeshkët e Sharrit, tashmë është e qartë se tipat që e kanë kapur LDK-në për fyti nuk duan të lejojnë, në asnjë mënyrë, realizimin e vullnetit të qytetarëve për ndryshim të shprehur në mënyrë plebishitare, më 6 tetor 2019.

Këmbëngulja, arroganca dhe djallëzia e tyre i nxjerrin cullak si njerëz të Thaçit ose të Vuçiqit. Dhe vërtetë duhet të jesh ose i vërbër ose i marrë e të mos e shohësh këtë fakt. Kjo tregon edhe për përmasat e shantazhit që detyrojnë edhe një këlbaç e kalkulues gjakftohtë si Isa Mustafa të fyejë cinikisht inteligjencën e krejt gjeneratës së pasluftës por edhe të të gjithë moshatarëve të fëmijëve të tij.

Trysnia është tepër e madhe; në njërën anë Thaçi, të cilit Gjykata speciale i ka trokitur në derë në fund të vitit të kaluar e, në anën tjetër, Vuçiqi, i cili në negociatat me Kosovën nuk dëshiron kurrsesi të ketë përballë shqiptarë si Albin Kurti e Vjosa Osmani, të cilët nuk i ka në dorë për të luajtur majtap si me Thaçin dhe Isa Mustafën, përmes të cilëve e bëri Kosovën dhe Kushtetutën e saj leckë. 

Shantazhi i shërbëtorëve të Prontomafisë dhe Prontoserbisë për postin e kryeparlamentarit i nxjerr ata lakuriq si përçarës e rrënues të LDK-së, të cilët kanë llogaritur që në këtë mënyrë t’i vrasin dy zogj me një gurë:

– Ta torpedojnë koalicionin, 

– por, nëse Albin Kurti ua fal postin e kryeparlamentarit, atëherë aty ta ‘rahatojnë’, duke e hequr qafe njëherë e mirë, Vjosa Osmanin. Kjo do të ishte mënyra më elegante për ta mbajtur Thaçi e Vuçiqi LDK-në peng edhe për një kohë të gjatë.

Sepse për çdo person që e ka dëgjuar me vëmendje mesazhin e 6 tetorit është e qartë se Vjosa Osmani duhet të jetë njeriu i dytë i qeverisë dhe krahu i djathë i gjeneratës së re që ka vullnetin dhe vendosmërinë për ta shpëtuar Kosovën nga Prontomafia, Prontoserbia dhe shërbëtorët e tyre.

Mu për këtë prandaj për Vjosa Osmanin kanë votuar mbi 80% e elektoratit të LDK-së.

Jam i bindur se shtetrrënuesit që po e ngulfatin LDK-në i kanë bërë hesapet pa hanxhiun, sepse në LDK ka forca të mjaftueshme për ta çkapur këtë subjekt politik rëndësor nga kthetrat e matrapazëve që tërë ditën thirren në të, ndërsa gjithë natën komplotojnë kundër idealeve dhe traditës së saj shtetformuese.

Kësaj ndryshe i thonë: shyqyr që u nis beteja për koalicionin dhe ranë për tokë maskat e shtetrrënuesve të kamufluar.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

1 Comment

  1. Me mbane shpresa se me keto sterzgjatje bisedimesh Isa me kliken e tije do ti detyrojne forcat progresive ne LDK te distancohen nga ta.
    Dhe qe nga ketu do te filloi ndryshimi pozitiv duke i larguar ProntMafiozet dhe SerboMafiozet te cilet kane ngulfatur para se gjithash Shtetin e Kosoves por edhe LDK-ne te cilen e kane prure ne buze te Gremines se Shkaterrimit…

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*


*

code