ZAJEDNICËN DUHET TA KUNDËRSHTOJMË TË GJITHË DHE BASHKË

Shkruan:
Xhafer Shatri

Qeverisë së Kosovës i ka rënë detyra e vështirë deri edhe e padurueshme të japë llogari për nënshkrime për të cilat nuk ka asnjë kusurë.

Gjërat kanë ndryshuar shpejtë, por jo edhe papritur. Lufta në Ukrainë ka krijuar krejt rrethana të tjera gjeopolitike edhe për Kosovën, dhe kjo është e detyruar të përballet me këtë fakt. Mbeshtetësi ynë kryesor, Amerika ka vendosur ta heqë njëherë e mirë nga agjenda çështjen e konfliktit shumëshekullor serbo – shqiptar, pra t’ia vërë kapakun kësaj pune. Kjo ngutje e pritshme i ka të mirat po dhe të këqijat e veta.

Pa marrë udhë kjo çështje, në Kosovë nuk do të ketë as siguri e as këndellje ekonomike. Në anën tjetër, në këso rrëmujash më së keqit e pësojnë ata që janë më të lëndueshëm dhe më hallligë, pra popujt e vegjël.

Mu për këtë paria e Kosovës nuk guxon të jetë e përçarë në këtë përballje me Serbinë dhe me ata që kanë prirje ta marrin atë vazhdimisht me të mirë.

Përparësia e Kosovës është se ka liderë të pashantazhueshëm, të përgjegjshëm dhe të përgatitur për t’u përballë me Serbinë dhe politikën e saj agresive:

Osmani e Kurti nuk kanë as pare të huajat në dyshek dhe as skelete në bodrum, Krasniqi dhe Abdixhiku, nuk kanë asnjë kusurë për fajet e parardhësve të tyre partiakë; Haradinaj e ka kryer me Hagën, e ka përvojë dhe është dëshmuar me kundërshtimin e vendosur të ndarjes së Kosovës.

Tash këta duhet të bëhen bashkë dhe t’i mbrojnë interesat e Kosovës. Te dëshmojnë se edhe Kosova ka vija të kuqe dhe se negociatat me Serbinë për të gjitha çështje e pazgjidhura duhet të bëhen në kuadër të propozimit evropian (Scholtz – Macron), dhe se ato nuk mund të zgjasin me dekada.

Për të qenë më efikas, paria e Kosovës duhet ta koordinojë këtë veprimtari edhe me Edi Ramën e Ali Ahmetin.

Përparësia e Serbisë: është shtet i konsoliduar me lidhje të fuqishme me Rusinë dhe me mundësi për të destabilizuar shumicën e vendeve fqinje. Kjo e ka bërë Amerikën që të bëjë të pamundurën që t’ia heqë Rusisë këtë levë nga dora.

Kjo është krejt në rregull, por kjo nuk duhet të bëhet në kurriz të Kosovës.

Presioni më i madh aktualisht po ushtrohet mbi kryeministrin Kurti. Këtij i janë dhënë afate të shkurta t’i japë udhë çështjes së Zajednicës. Po përmenden data që nuk janë aspak reale: 17 shkurti për Zajednicën, 30 marsi për nënshkrimin e planit të BE-së…

Presioni do të rritet edhe në saje të zhurmës së Serbisë dhe të rrethanave në frontin e luftës në Ukrainë. Prandaj, paria e kosovës duhet t’i përcaktojë parimet mbi të cilët mund të ndërtohet një unitet veprimi. E këto mund të jenë përafërsisht kështu:

1. Përballja me Zajednicën të mos përdoret nga askush në luftë të pakuptimtë për vota ose pushtet;

2. Nënshkrimet e Marrëveshjeve të mëparshme të mos bëhen objekt për luftë politike. Drejtësia dhe historia duhet të merren me këtë çështje, se ndryshe nuk do të mund të dalim kurrë nga kazani i valë që trashëgoi Kosova nga liderët që e kishin bishtin e zënë me derë;

3. Ne, si shumicë, të vihemi në pozitën e pakicave dhe të mendojmë për to si për bashkëqytetarët tanë duke ua siguruar dhe respektuar atyre të drejtat e plota ligjore e kushtetuese;

4. Interesat e pakicës serbe në Kosovë, në njërën anë dhe interesat e Serbisë në anën tjetër, janë krejt të ndryshme; Serbët e Kosovës mëtojnë t’e kenë të drejta që ua sigurojnë një të ardhme të mirë, ndërsa Serbia po e shfrytëzon pakicën serbe në luftë për territore.

5. Realisht, Kosova dhe shqiptarët nuk kanë asgjë kundër pakicës serbe, por kanë probleme serioze me Serbinë dhe sidomos me politikën e saj agresive;

Në këtë kuptim çështja është shumë e thjeshtë: Të gjitha të drejtat pakicave por në asnjë rrethanë mundësi që cilado pakicë të kthehet në objekt manipulimi dhe pastaj të tallet dhe t’ia rrezikojë të ardhmen shumicës.

Kjo është e vetmja rrugë që gjeneratat që vijnë të mos e paguajnë haraçin e fajeve të pushtetarëve të dikurshëm huliganë që nuk kanë lënë gjë të zezë pa i bërë vendit.

Në këtë përpjekje të përbashkët nuk do të fitojnë as politikanët, as partitë, as vetjet e veçanta por, parasegjithash, do të fitojë Kosova. Do të fitojmë ne, qytetarët e Kosovës, pavarësisht etnisë që i takojmë.

*Po e përdor termin Zajednicë, sepse mënyra e imponimit dhe përmbajtja e saj nuk kanë asgjë të përbashkët as me Kushtetutën, as me bashkëjetesën.

Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*